pdf  Array Shtyp Array  Email

Mr. Sc. Fehim Dragusha

NJOHURI MBI SHKENCËN E KRAHASIMEVE NDËRFETARE(COMPARATIVE RELIGIONS)

 

Falënderimet dhe lavdërimet më të sinqerta i takojnë vetëm Krijuesit, Sundue­sit të kësaj gjithësie. E falënderojmë Atë që na dalloi nga të gjitha krijesat e tje­ra, duke na dhuruar mendjen, arsyen, intelektin, e mbi të gjitha na krijoi në for­mën më të përsosur. Paqja e shpëtimi i Tij qofshin për vulën e pejgambe­rë­ve, Muhammedin alejhisselam, familjen e tij të ndershme, shokët e tij të dashur dhe mbarë bamirësit besimtarë.

Të nderuar lexues e dashamirë të dijes! Shkenca mbi “Fetë Krahasuese” ka vlera mjaft të larta dhe për muslimanët është aq e vjetër sa edhe shkencat e tjera islame. Për shumë lexues është bërë e njohur shkenca që merret me stu­dimin e “Feve Krahasuese”. Mirëpo, të paktë janë ata që zotërojnë njohuri mbi zanafillën, zhvillimin dhe parimet e kësaj shkence. Si çdo shkencë tjetër edhe ajo e “Feve Krahasuese” ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm drejt njohjes dhe thellimit të njohurive mbi fetë dhe krahasimin mes tyre.

Për rolin dhe rëndësinë e kësaj shkence është punuar shumë, sidomos në vitet e para të Islamit, kur filluan çlirimet e tokave dhe u ndeshën kultura të ndrysh­me fetare. Për këtë do të flitet edhe gjatë temës në vazhdim.

I. Synimi i Punimit

Ky punim ka si qëllim që studiuesve në veçanti dhe lexuesve në përgjithësi t’u sjellë të dhëna mbi këtë shkencë, pasi në gjuhën shqipe nuk kemi diçka të posaçme rreth saj. Kohëve të fundit dëgjoja shumë të rinj, studentë, kolegë, duke pyetur mbi rëndësinë e kësaj shkence. Është e vërtetë se asnjë shkencë nuk mund të shtjellohet brenda ca minutave, ndaj edhe iu qasa këtij punimi, gjithnjë duke e lutur Allahun e Madhërishëm se ky punim do t’i plotësojë sa­do­pak nevojat e lexuesve shqipfolës. Interesimi i madh që mbizotëronte nga dijetarët e kaluar për çështjen e kësaj shkence duket sikur frymëzon edhe në ditët tona. Mirëpo mund të shtoj se kjo lloj shkence aq sa është tërheqëse, po aq është edhe e vështirë për t’u kuptuar. Për këtë arsye edhe termi Krahasues /krahasim është kuptuar në forma të ndryshme nga disa njerëz. Si rrjedhim, shohim se, një grup i dijetarëve termin “krahasim” e refuzojnë kategorikisht, si­do­mos kur ka të bëjë me fushën e studimeve islame. Ky grup mendon se studimi i shkencës “Fetë Krahasuese” i vë studimet islame në të njëjtën pe­sho­re me mësimet e tjera që kanë si burim mendjen laike dhe idhujtare. Kur mos­paj­timi ndeshet me vetë termin, pa dyshim se diskutimi mbi “Fetë Kraha­sue­se” do të jetë edhe më i refuzuar, për arsye se feja islame është frymëzim dhe shpall­je nga Qielli, për çka nuk ekziston asnjë dyshim, ndërsa për sa i përket feve të tjera, aty nuk ka siguri për t’u mbështetur, si rezultat i shtrembërimeve të librave të shenjtë nga duart e njerëzve. Këto ishin disa nga mendimet e gru­pit mohues se kjo shkencë nuk meriton të studiohet, por lexuesi duhet ta ketë të qartë se po të anojmë nga mendimi i lartpërmendur, me të vërtetë që do të gabohemi që në fillim. Prandaj, le t’i hedhin vetëm një vështrim synimit të kës­aj shkence, që të shohim se cilat janë të mirat që sjell studimi i shkencës në fjalë.

Pa dyshim, studimi i shkencës “Fetë Krahasuese” tek muslimanët ka si që­llim mbrojtjen e Islamit duke e përshkruar ashtu siç e ka përshkruar edhe Allahu i Madhërishëm si fe të vërtetë: “Feja e pranueshme tek Allahu është Islami...”

Nëse bazohemi në atë se Allahu i Madhërishëm do ta ruajë këtë fe, s’ka dyshim se këtë nuk e ndryshon askush, mirëpo në anën tjetër shtrohet pyetja se si t’u flasim të tjerëve për fenë tonë? Përgjigjja është shumë e lehtë: t’ua sqa­roj­më atyre vetëm duke krahasuar mes feve si mënyra më efikase që do të çojë te mirëkuptimi i fesë së vërtetë islame. Kemi harruar se Islamin që më­soj­më, sikur ta mësonin të gjithë në këtë mënyrë, kurrë nuk do të ndodhnin këto për­çarje të përditshme, ndaj nga gjithë ajo që u cek më lart mund të themi se stu­di­mi i shkencës “Fetë Krahasuese”, synon krahasimin e feve të tjera me Isla­min, me qëllim largimin dhe evitimin e shumë divergjencave dhe dyshi­me­ve që gjenden në to, që të dalë në shesh e mira dhe e keqja, e dobishmja dhe e kota, gjithnjë duke treguar vërtetësinë e fesë islame me argumente të qarta dhe bindëse. Shkenca në fjalë është një fushë që studion religjionet që ana­li­zoj­në ngjashmëritë dhe dallimet e motiveve të tyre, mitet, ritualet si dhe kon­ceptet ndër religjionet e botës. Duhet ta kemi të qartë se kuptimi i shkencës “Fetë Krahasuese” dallon tek orientalistët, të cilët përmes kësaj shkence orva­ten që ta sulmojnë Islamin me të gjitha metodat që zotërojnë. Nuk duhet ha­rruar se orientalistët i kanë kushtuar rëndësi tepër të madhe hapjes së shumë departamenteve në universitetet e tyre, duke pub­li­kuar në tërë botën lajmin se, shpenzimet për të studiuar këtë shkencë i merr për­sipër vetë universiteti i tyre. Ky lajm ishte përhapur edhe tek stu­dentët mus­limanë, të cilët pa hezituar kanë pranuar ftesat për studime falas. Çfarë fshi­het pas këtij plani...? Synimi i tyre final ishte futja e kësaj lënde në uni­ver­si­tetet e tyre, në mënyrë që të shka­tërrojnë Islamin, por kësaj radhe sul­mi zhvi­llohej brenda universiteteve në mënyrë “akademike”, përmes pu­ni­me­ve shken­core me studentë muslimanë.

Duhet cekur se një prej metodave të tyre, që përdoren në këto universitete, ishte bashkimi i feve, metodë që bëri shpëlarjen e trurit të studentëve musli­ma­në me barazimin në mes feve. Ishin këto mësime të shtrembëruara të pra­nua­ra nga studentët muslimanë, që më pas ata do t’i transmetonin tek të tjerët, duke menduar se ishin të sakta, mirëpo në fakt kjo ishte skema e orientalis­të­ve, e cila edhe doli e suksesshme. Ajo që dua të them është se, pavarësisht nga pla­net e tyre, shkenca e “Feve Krahasuese” nuk ishte themeluar nga orienta­lis­tët. Fillimet e saj janë të hershme, qysh nga shpallja e Islamit. Ata që mendojnë se kjo shkencë ishte themeluar nga orientalistët gabohen. Për këtë do të flasim më vonë.

Të nderuar lexues, duke parë sulmet dhe keqinterpretimet e orientalistëve ndaj Islamit, shohim se kjo shkencë vërtet meriton që të studiohet në thelb, në mënyrë që studentët muslimanë të mos bien pre e mashtrimeve të tyre, që do të lërë pasoja gjatë tërë jetës. Këtu kam për qëllim studentët tanë shqiptarë ku­do që janë, sidomos ata që studiojnë në vendet joislame. Në vazhdim do të fla­sim mbi historikun e kësaj shkence. 

II. Shkenca “Fetë Krahasuese” dhe marrëdhëniet e saj me shkencat e tjera islame

Shkenca “Fetë Krahasuese” është shkencë që meriton interesim serioz, jo vetëm mësimet e saj, por gjithashtu edhe historiku në të cilën ajo kaloi, që nga themelimi i saj e gjer në ditët tona. Është shumë larg logjikës së njeriut që një meritë mbi këtë shkencë t’u jepet atyre që në fakt sulmojnë Islamin. Si shumë shkenca të tjera islame, edhe kjo shkencë daton që nga kohët e hershme. Prandaj, shkenca mbi fetë Krahasuese është vepër e muslimanëve, andaj edhe duhet renditur me shkencat e tjera islame.

Për ta argumentuar këtë realitet, në vazhdim kemi sjellë disa argumente rreth kohës së themelimit të kësaj shkence:

Prof. Dr. Ahmed Shelebiu thotë: “Kur erdhi periudha e shkrimit, në mes të shekullit të dytë hixhrij, muslimanët filluan të shkruanin rreth fik’hut, tefsirit, hadithit, dhe në të njëjtën kohë ata i ishin qasur edhe shkrimit të shkencës ‘Fetë Krahasuese’; prandaj ajo është shkencë islame dhe duhet llogaritur sikurse shkencat e tjera islame.”

Shkenca “Fetë Krahasuese” nuk ekzistonte para ardhjes së Islamit. Shkaqet ishin të shumta; asnjë fe nuk e pranonte tjetrën, në fakt, çdo fe e akuzonte tjetrën si të humbur e të shtrembëruar. Të mos harrojmë qëndrimin e Judaiz­mit ndaj Krishterizmit dhe Isait [alejhisselam] e në veçanti qëndrimin e Krish­te­rizmit ndaj Judaizmit dhe çifutëve. Po ashtu edhe qëndrimin e Hinduizmit ndaj Budizmit dhe anasjelltas si dhe qëndrimin e Krishterizmit ndaj Islamit në Andaluzi (Spanjën e sotme).

Feja Islame ishte paraqitur pas shfaqjes së shumë feve mbi sipërfaqen e to­kës, çka solli themelimin e shkencës së “Feve Krahasuese”.

III. Themelimi dhe zhvillimi i shkencës së Krahasimeve Ndërfetare

Para se të flasim mbi themelimin e shkencës së “Feve Krahasuese” në Islam, do të ishte në interes të lexuesit që të cekim disa nga shkaqet që çuan në themelimin e kësaj shkence. Në librin “Filozofia Islame” të autorit Dr. Ali Mahfudh Ali Idham, ka cekur disa shkaqe të rëndësishme që sollën deri te themelimi i kësaj shkence:

Liria e të menduarit në Islam

Me të vërtetë, Islami solli shumë të mira, mes të cilave ishte edhe liria e të menduarit, e cila ndikoi në themelimin e shkencës së “Feve Krahasuese”. Për këtë mund të përmendim halifin el-Ma’mun, që organizonte tubime dhe se­mi­nare ku debatohej rreth feve, shkollave juridike, fraksioneve etj. Si ligjërues në këto tubime prezantonte profesori i tij Ebu el-Hudhejl el-Ilafi.

Toleranca e muslimanëve ndaj pasuesve të Librit

Islami i kushton rëndësi të madhe tolerancës fetare, e në veçanti me pasuesit e librave, bazuar në ajetin kur’anor:“Në fe nuk ka dhunë...”

Nuk ka dyshim se ky varg kur’anor i stimulonte muslimanët që të njiheshin me fetë e tjera, të debatojnë rreth tyre si dhe të njihen për së afërmi mbi mësi­met e tyre, në mënyrë që muslimanët të jenë të aftë të kundërpërgjigjen mbi çështjet kryesore që kanë të bëjnë me fetë.

 

Mbrojtja e Islamit

Pa dyshim se mbrojtja e fesë islame konsiderohej prej shkaqeve kryesore drejt  themelimit të shkencës së “Feve Krahasuese”. Debatet dhe polemikat rreth fe­ve gjithmonë synonin njohjen e së vërtetës mbi fetë, e kjo ishte se feja e vërtetë është Islami. Në të nuk ka trinitet e as mbyllje siç ndodh në Krishterizëm dhe Judaizëm.

Si argument se në atë kohë kishte aktivitete të tilla hasim punimin e parë që na ka arritur në shkencën e “Feve Krahasuese”, të cilën e kishte shkruar el-Xhahidhi. Në këtë letër gjejmë kundërpërgjigje ndaj të krishterëve dhe mbroj­tje të fesë islame. Më vonë do të kemi edhe libra të shkruara në këtë fushë. Si shkak kryesor drejt themelimit të kësaj shkence ishte toleranca fetare që Islami dhe muslimanët tregonin gjatë debateve me pasuesit e feve të tjera. AhmedShelebiuthotë se toleranca islame vinte nga fakti se Islami i pranonte të gjitha fetë e tjera.

Duhet përmendur se një krahasim i këtij lloji ndeshet edhe në kohën e Pejgamberit (alejhisselam) gjatë dialogjeve, polemikave dhe bisedave të tij me ateistët, çifutët, si dhe me të krishterët rreth çështjes së Njëshmërisë së Zotit, pejgamberisë, librave të shenjtë dhe shumë çështjeve të tjera fetare. Mund të thuhet lirshëm se krahasimi (komparacioni) luan rol shumë të rëndësishëm në përhapjen e Islamit në mes çifutëve dhe krishterëve. Sot është koha që më së shumti të punohet në këtë drejtim, duke marrë për bazë edhe faktorët e lartpërmendur.

Themelimi i shkencës së “Feve Krahasuese” ishte si rezultat i vetë mus­li­ma­nëve të cilët përballeshin me sfida të ndryshme nga fetë që i kishin paraprirë shfaqjes së Islamit. Mu për këtë u desh që muslimanët t’i ftonin pasuesit e feve të tjera në tubime e polemika, gjithnjë duke polemizuar në mënyrë të mirë dhe të pajisur me njohuri të mësimeve islame, mësimeve çifute dhe të krishtera.

Duke përdorur këto metoda të suksesshme do të shohim se të vërtetat e Isla­mit do të shfaqen në mendjet e njerëzve dhe zemrat e tyre do të besojnë. Njëherazi, muslimanët duhet ta kuptojnë se kjo shkencë konsiderohet ndër armët më të rëndësishme që t’i kundërvihen sfidave të çifutëve, krishterëve dhe pasuesve të feve të tjera.

Përveç shkaqeve që cekëm më lart, mund të themi se nevoja e madhe që kishte da’veti për këtë shkencë, bëri që ajo të jetë ndihmesë e madhe për t’i përballuar sulmet që i vinin Islamit nga të gjitha anët dhe për këtë shkak u ndie nevoja për themelimin e saj. Më pas, rrugët e saj i hapi Kur’ani e hadithi, pasi që ajo ndihmohej me ajetet kur’anore dhe hadithet e Pejgamberit [alejhis­selam].

Për t’u njohur më mirë me etapat e kësaj shkence dhe zhvillimin e saj deri në ditët e sotme, duhet të përmendim fazat nëpër të cilat ka kaluar ajo, ku më të rëndësishmet janë:

  1. Faza e Parë: Periudha e zanafillës;
  2. Faza e Dytë: Periudha e shkrimit të saj;
  3. Faza e Tretë: Periudha e zhvillimit dhe vazhdimësisë;
  4. Faza e Katërt: Periudha e rënies dhe humbjes së saj; dhe
  5. Faza e Pestë: Periudha e rikthimit të saj në arenën islame 

IV. Periudha e zanafillës së “Feve Krahasuese”

Kjo periudhë fillon me zbritjen e ajeteve kur’anore, të cilat bartin aspektin krahasues, si për shembull ajetet vijuese:

“Ju në vend të Allahut jeni duke adhuruar vetëm idhuj që i trilloni vetë si gënjeshtarë. S’ka dyshim se ata që i adhuroni në vend të Allahut, nuk posedojnë furnizimin tuaj, pra kërkojeni furnizimin te Allahu, adhurojeni Atë dhe shprehini falënderimin Atij, se te Ai do të ktheheni.”

“Atëherë pra, a është Ai që krijon njësoj, sikurse ai që nuk krijon? A nuk po mendoni”?

“Me të vërtetë, çështja e Isait (të lindur pa baba)tek Allahu është sikurse çështja e Ademit. Ai e krijoi atë nga dheu, e pastaj i tha: “Bëhu”! - Ai u bë.”

Krahas këtyre ajeteve, kemi edhe bisedat dhe debatet e Pejgamberit [alejhis­selam], të cilat i zhvillonte me çifutët dhe të krishterët mbi Njëshmërinë dhe Profetësinë, si dhe çështje të tjera fetare me rëndësi. Këtë rrugë e ndoqën edhe shokët e Pejgamberit [alejhisselam], ku më vonë shohim një zhvillim të shkël­qye­shëm të shkrimit të kësaj shkence dhe regjistrimit të saj në libra dhe do­rë­shkrime të shumta, fat ky që gëzuan edhe shkencat e tjera islame. 

V. Periudha e shkrimit të Shkencës së “Feve Krahasuese”

Periudha e parë, siç e cekëm edhe më lart, lidhet më së shumti me debatet, bisedat dhe diskutimet e ndryshme në lëmin e feve. Periudha e II-të dallon nga e para. Në këtë kohë, çdo gjë filloi të shkruhej dhe të regjistrohej nëpër libra dhe fletushka. E tërë kjo ndodhi si rezultat i nevojës së madhe që ndihej për studimin e shkencës në fjalë. Nuk ka dyshim se ecuria e kësaj periudhe nuk qe e shkurtër. Siç ceket edhe në librin “Historiku i Ibn Hishamit”, kjo shken­cë zhvillohej hap pas hapi, derisa mori formën e saj të plotë. Për herë të parë, në historinë e “Feve Krahasuese”, shohim që të ketë lulëzuar libri i njohur i Nubihtit, i cili titullohet “El-Aráu ved-dijanat”. Libri ishte shkruar në fund të shekullit të dytë (sipas kalendarit islam). Libri në fjalë posedon vlera të shumta, dhe mbarë dijetarët e kësaj shkence e llogarisin si librin e parë të kësaj fushe.

Më vonë shohim edhe studime të tjera në lëmin e krishterizmit, që i për­ka­sin periudhës së dytë të kësaj shkence. Ndërsa për vlerën dhe rëndësinë që i kush­tohej shkencës Krahasuese të feve dhe përkthimit të librave në këtë fushë, shohim se në kohën e Liderit Islam (Halifes) Harun Er-Rashidit, gjejmë për­kthimin e Tevratit dhe Inxhilit. Të dy këto libra ishin përkthyer nga dijetari dhe njohësi i gjuhëve të asaj kohe Ahmed bin Abdullah bin Selam bin Ha­li­feh. Përkthimi i tyre me të vërtetë tregon përparimin dhe zhvillimin e shken­cës së komparacionit. Më vonë, në kohën e Liderit të Muslimanëve El-Halifetu El-Me’mun, zhvilloheshin debate dhe diskutime të vazhdueshme në lëmin e feve dhe religjioneve. Në ato debate merrnin pjesë dijetarë dhe hulum­tues të njo­hur të asaj kohe. Pra, kur të kemi të bëjmë me debate të kësaj fushe, mund të nxjerrim edhe disa mësime të dobishme, që për të diskutuar me pasues të fe­ve të tjera duhet të kihet parasysh edhe njohja e shumë shkencave të tjera, pa të cilat debati nuk do të ketë fare sukses. Si shkenca me rëndësi, mund të nu­më­rojmë; njohja e shkencës së Kur’anit; tefsiri, shkaqet e zbritjes së ajeteve, të gjitha këto luajnë rol të veçantë drejt argumentimit dhe shfuqizimit të argu­men­teve që vinë nga pala tjetër, po ashtu edhe shkenca e hadithit, historia e fe­ve, njohja e gjuhëve të huaja, gjithashtu kërkohen nga debatuesi, pa të cilat re­zul­tatet e debatit do të jenë jo efikase, në fakt, kjo për audiencën islame mund të ngjallë edhe dyshime në besimin islam. Kemi shumë raste në Kosovë, ku për shkaqe të mosnjohjes së gjuhës, apo si mungesë e kuadrove, persona jo kompetentë e marrin përsipër këtë përgjegjësi dhe si rrjedhojë munden nga pala tjetër. 

VI. Periudha e zhvillimit dhe vazhdimësisë së komparacionit

Këtë periudhë, për dallim nga dy të parat, e karakterizon zhvillimi i hovshëm në nxjerrjen dhe lulëzimin e shumë librave dhe hulumtimeve Krahasuese (kra­­hasuese). Interesimi i madh i dijetarëve dhe hulumtuesve islamë, kishte re­­zultuar në shtimin dhe studimin e debateve nga më të ndryshmet, veçmas du­ke filluar nga shekulli i dytë hixhrij, e gjerë në shekullin e nëntë. Gjatë kë­ty­re shekujve, dijetarët muslimanë dhuruan një kontribut të çmuar, duke lënë pas tyre libra dhe dorëshkrime me renome botërore në lëmin e kësaj shken­ce. S’do mend se edhe njohja e gjuhëve luajti rol të rëndësishëm që shu­më libra të përktheheshin në gjuhën arabe, përndryshe, nuk do të ishte e mundur që të nji­heshin ndasitë e burimeve të çdo feje. Pra, siç e potencova edhe më lart, kë­të periudhë e karakterizon botimi i librave të shumta. Në vazhdim do të cekim emrat e dijetarëve të vyeshëm të këtij lëmi dhe librat e shkruara nga pena e tyre, gjithnjë duke pasur parasysh që përmes shkrimeve të tyre, të paraqesim argumentet e tyre bindëse mbi vërtetësinë e Islamit dhe librit të shenjtë, Kur’anit:

Nuhbihti, me librin e tij të mirënjohur “El-Arau ved Dijanat”, libër ky i radhitur ndër më të parët në fushën e komparacionit. (Për lindjen e tij nuk kemi asnjë të dhënë, por për fat të mirë, në literaturën isla­me është cekur se Nuhbihti-u ka vdekur në vitin 202 hixhrij), pra, nga kjo shohim se shkenca e komparacionit na qenka shumë e vjetër. Vetë libri i tij “Mendimet dhe Fetë”, na jep të kuptojmë se ka pasur studime serioze në atë kohë, bazuar në titullin e librit. Ky është libri i parë që ka arritur në duart tona dhe si i tillë meriton të renditet nga të parët.

  1. El-Mes’udi, kishte shkruar dy punime në këtë drejtim:
  2. El-Mesail vel-Ilel Fil Medhahibi vel Milel
  3. Sirrul Hajah.Bazuar në vdekjen e autorit, (vdiq në vitin 346 hixhri), shohim se librat e punuar nga ky dijetar, tregojnë se nuk kishte ndonjë rënie të interesimit mbi këtë fushë, në fakt, interesimi i dijetarëve dhe literatura e tyre sa vinte e shtohej.
  4. Ebul Hasen El-Amirij, (vdiq në vitin 381 hixhri), kishte shkruar  librin e tij shumë të njohur: “El-I’lam Bimenakibil Islam”.
  5. El-Mesbehij, (vdiq në vitin 420 hixhri). Autori në fjalë kishte shkruar librin “Derkul Begijeh”, në të cilin kishte përshkruar fetë dhe ritet fetare.
  6. Ebu Rejhan El-Bejruni,(vdiq në vitin 425 hixhri). Bej­ru­ni kishte shkru­ar punimin e tij të titulluar: “Tahkik ma lil Hindi min mekuletin mak­bu­letin fil Akli Ev Merdhuletin”.
  7. Ebu Mensur El-Bagdadi, (vdiq në vitin 429 hixhri), pu­ni­mi i tij titu­llohej “El-Milel Ven-Nihel”.
  8. Ibn Hazm El-Andalusi, (vdiq në vitin 456), libri i tij titu­llohej: “Elfaslu Fil Mileli Vel EhvaVen-Nihel.
  9. Esh-Shehrestani, (vdiq në vitin 458 hixhri), punimi i dijetarit të mirë­njo­hur Esh-Shehrestan titullohej:“El-Milel Ven-Nihel”. Libri në fjalë edhe sot e kësaj dite mësohet në shumë Universitete Islame.
  10. El-Gazali,(vdiq në vitin 505 hixhri), libri i tij quhet “Err-Rred El-xhe­mil”, punim shumë i dobishëm në lëmin e debateve religjioze, për të cilin Prof. Dr. Abdul Aziz Abdul Hak Hilmi thotë se ishte shkruar në Aleksandri nga pena e dijetarit Imam el-Gazali [Allahu e mëshiroftë]. Mendimin e tij e mbështet në atë se, në Aleksandri ngjalleshin shumë debate në fusha të ndryshme, në veçanti debatet që kishin të bënin me krishterizmin e vjetër, prandaj, qyteti i Aleksandrisë i kushtonte rëndësi të veçantë kësaj fushe. Mos të harrojmë se Abdul Aziz ishte recensues i librit:“Err-Rred El-xhemil”.
  11. Ebu El-Beka Salih Bin El-Husejn El-Xha’ferij, (ky dijetar kishte jetuar pas Imam El-Gazaliut, dhe kishte vdekur në vitin 661), ndërsa libri i tij quhej: “Tahxhilun min Harfi Et-Tevrat vel-Inxhil”.
  12. Ahmed bin Idris El-Karafi El-Malikij,(vdiq në vitin 684 hixhri). El-Ka­rafi librin e tij e kishte titulluar: “El-Exhvibetu El-Fahiretu”.
  13. Ahmed bin Tejmije, (vdiq në vitin 628 hixhri), punimi i tij quhej: “El-xhevab Es-sahih Limen Bed-del Dinel Mesih”.
  14. Ibn Kajim El-Xhevzije, vdiq në vitin 751 hixhri), libri i tij në lëmin e feve quhej: “Hidajetul Hijarij minel Jehud Ven-Nesara”.
  15. Esh-shejh Abdullah Et-Terxhuman, (vdiq në vitin 823 hixhri), libri i të cilit titullohej: “Tuhfetu El-Erib Firr-Rredi Ala Ehli Es-Salib”.

Këto ishin disa nga librat e dijetarëve të vjetër, të cilat edhe sot studiohen me përkushtim të madh. Lexuesi, tashmë do të ketë një diapazon më të gjerë në lëmin e shkencës së komparacionit, duke parë se mundi i dijetarëve në fu­shën e “Feve Krahasuese”, duke filluar nga shekulli II hixhri, e gjerë në fillim të  shekullit të VIII hixhri, ishte i palodhshëm dhe efektiv. Prandaj, librat e si­për­­shënuara konsiderohen nga më të rëndësishmet. Vlen të theksohet se në me­sin e tyre kishte dijetarë të enciklopedisë islame, si shembulli i Imam ibn Tej­­mijes, Imam Gazaliut, Shehrestanit, të cilët jo vetëm që punuan në drejtim të kësaj shkence, në fakt ata mbuluan tokën me njohuri të përgjithshme të të gjitha sferave, prandaj, kohën e tyre e ndanin edhe për zhvillimin e shkencës së feve krahasuese, e cila ka për synim njohjen e studiuesit me besimet dhe aka­idet e këtyre pasuesve, pa marrë parasysh nesë nëse ata ishin pasues të feve qie­llore, apo të feve të tjera që si burim kanë njeriun.

Do të kishte qenë në interes të lexuesit që t’i kthehet edhe librave të tjerë që kanë të bëjnë me këtë fushë të studimit. Si libër tjetër të dobishëm, do të kisha ce­kur edhe librin “Kitabul Fusul li Ebil Hasen El-Esh’arij”, i cili si libër vo­lu­mi­noz, sqaron kundërpërgjigjet e Ebil Hasen El-Esh’arij ndaj brehamive, çifu­tëve, të krishterëve dhe zjarrputistëve.

Kontributi i dijetarëve modernë në lëmin e shkencës së komparacionit

Për sa i përket kontributit të çmuar të dijetarëve modernë, themi se mundi i ty­re ishte një vazhdim i asaj që e filluan dijetarët e vjetër. Këtë periudhë e ka­rak­terizon kontributi i tyre duke e ndërlidhur shkencën në fjalë me mbarë shkencat e tjera islame, pra, ata i japin një pasqyrë edhe më të qartë the­me­li­mit të shkencës së “Feve Krahasuese” duke i kushtuar një rëndësi themelore kontinuitetit të saj dhe synimeve që posedon në vete për mbrojtjen e Islamit dhe revelatës së saj. Prandaj, kjo periudhë numëron një numër të madh lib­rash dhe dorëshkrimesh të këtij lëmi, por fatkeqësisht që për momentin, shu­mi­ca e tyre gjenden në bibliotekat e orientalistëve. Vetëm kur të na jepet rasti që t’i posedojmë dorëshkrimet e tilla, do jemi në gjendje të shohim vlerën dhe rëndësinë që posedon shkenca e komparacionit, dhe së këndejmi, shumë vë­lle­zër muslimanë do të ndryshojnë edhe qëndrimet e tyre të gabuara që kanë formuar ndaj shkencës në fjalë.

Lexuesi do të ketë rastin që tash të njihet edhe me dijetarët modernë dhe kontributin e tyre shkencor, por që disa prej tyre kanë vdekur me vdekjen e autorëve, e disa prej tyre ruhen ende dhe mësohen në shumë universitete të ndryshme botërore. Nga këto kontribute mund të renditim:

  1. El-Imam Muhammed Abduhu,libri i tij titullohej “El-Islam Ven-Nas­ra­ni­je­tu Mea’l Ilmi Vel-Medenijeh”. Në lidhje me këtë libër, Dr. Ahmed She­lebiu në librat e tij, tregon se nuk posedojmë njohuri se ku gjendet ky libër.
  2. El-Imam Muhammed Ebu Zehretudhe libri i tij “Muhaderat Fin-Nasranijjeti”.
  3. Dr. Ahmed Shelebi,  njëri prej dijetarëve më të njohur të kësaj fushe në ditët tona. Ahmed Shelebiu ka bërë një punë të madhe në shkencën e “Feve Krahasuese”. Libri i tij quhet: “Mukarenet El-Edjan” dhe përbëhet nga katër vëllime; vëllimi i parë flet për Judaizmin, vëllimi i dytë flet për Krishterizmin, i treti flet për Islamin, kurse në vëllimin e katërt, autori ka përshkruar fetë e mëdha të Indisë.
  4. Dr. Refki Zahirdhe libri i tij “Kis-satul Edjan; Dirase Tarihije Mukarene”.
  5. Dr. Mahfudh Alij Izam, nga Universiteti Gjerman. Alij Izam ka shkruar një sqarim të shkurtër mbi shkencën e “Feve Krahasuese”.
  6. Prof. Abdul Aziz Abdul Hak Hilmi, njëhe­ra­zi recensues i librit “Err-Rred El-Xhemil” të Imam El-Gazaliut. Ajo që librin e bënë të lexueshëm janë shtojcat e recensuesit, të cilat i japin librit një rëndësi të madhe. Zako­nisht shtojcat që ka ofruar Abdul Aziz në fusnotat e librit “Er-Red El-Xhemil” i përgjigjen sferës së kontributit të muslimanëve dhe orien­ta­lis­tëve të kësaj fushe. Është me rëndësi për t’u theksuar se dijetarët e kësaj fushe, të cilët dhanë mundin e tyre maksimal drejt vazhdueshmërisë së komparacionit, do mbeten gjithmonë në memoriet e studentëve dhe stu­diuesve anekënd botës. Edhe pse numri i atyre që përmendëm më lart, nuk ishte aq i madh, por sikur t’i kthehemi librave të tyre, t’i stu­dio­nim ashtu siç kërkohet nga hulumtuesit, me të vërtetë njohuritë e tyre do të na mjaftonin për të njohur fenë tonë të drejtë më tepër dhe do të posedonim një pasqyrë më të kthjellët rreth mënyrës dhe metodologjisë që kërkohet gjatë debateve, gjë që sot na mungon shumë. Prandaj, për ta kuptuar lëmin e “Feve Krahasuese”, na duhet që t’i kthehemi historikut të saj,t’i kthehemi dy periudhave të dijetarëve dhe punimeve të tyre shken­core, të studiojmë nga afër shkrimet dhe librat e tyre me një përkushtim të thellë. 

DOBITË QËSJELL SHKENCA E “FEVE KRAHASUESE”

Si çdo shkencë islame, e cila mësimet e saj i mbështet në Kur’an dhe traditën e Pejgamberit alejhisselam, edhe shkenca e “Feve Krahasuese” për lexuesin, stu­diuesin dhe mbarë shoqërinë ofron dobi të shumta.

Interesimi i madh i dijetarëve muslimanë rreth kësaj shkence, tregon qartë edhe rëndësinë që kjo shkencë posedon në mesin e shkencave të tjera islame.

Shkenca e komparacionit e pajis besimtarin me të gjitha armët që ai të jetë në gjendje të mbrojë besimin e tij islam. Dobitë që kjo shkencë i ofron besim­tarit, janë të shumta. Fillimisht, studiuesi sa më shumë që të zhytet në lite­ra­tu­rën e kësaj shkence, aq më tepër do të frymojë mrekullinë e ruajtjes së kësaj fe­je. Gjatë studimeve Krahasuese, do të vërejmë se si në fetë e tjera, me kalimin e ko­hës, kishte ndryshuar çdo mënyrë e riteve fetare, e krahas tyre kishin ndry­shuar edhe librat e tyre. Kjo vërehet edhe në librat e mëparshëm, të zbritur nga Krijuesi i Gjithësisë. Ndërsa për të parë se si feja islame ka qëndruar e shën­doshë gjatë gjithë kohërave, ashtu siç e ka garantuar edhe Allahu i Ma­dhë­rishëm një gjë të tillë, p.sh. kryerja e namazit; qysh prej kur është shpallur Kur’ani Famëlartë, e gjer në ditët tona, ritualet tona kanë mbetur ashtu siç na ka mësuar Allahu xh.sh dhe Muhammedi alejhisselam, për dallim nga fetë e tjera që e kanë kthyer liturgjinë në gjuhët e ndryshme kombëtare, feja islame ruan traditën që t'i zhvillojë namazet (faljet) në gjuhën arabe, pra, ajo është e njëjtë në të gjitha vendet e botës ku praktikohet feja islame, në Lindjen e Mes­me dhe të Largët, në vendet afrikane, në Evropë, Azi, Amerikë, në tokë e në qiell, pra ligjet e Allahut nuk do të ndryshojnë. Këtë nuk e gjejmë tek pasuesit e feve të tjera. Nga dobitë që sjell shkenca e “Feve Krahasuese”, është edhe rëndësia që mus­limani duhet t’i kushtojë mësimit të Kur’anit, pasi metodologjia më e mirë për t’i demantuar mësimet e tjera të brishta, është që duhet të kemi njohuri të mi­rë­fillta kur’anore, përndryshe, besimtari nuk do të jetë në gjendje të debatojë me askënd. Njëherazi, kjo shkencë kur shpalos historikun e zbritjes së librave, të cilat kanë një burim të njëjtë, u bën të qartë se Kur’ani është libri i fundit dhe vula e të gjitha librave të zbritura më parë. Veç kësaj, shkenca e “Feve Kra­hasuese” e pajis besimtarin me njohuri të shumta mbi historikun e çdo feje, pa marrë parasysh pasuesit e tyre në numër. Gjithashtu, sqaron edhe ngjarjet që kanë ndodhur në të kaluarën, e veçmas kur është fjala për krishterizmin, ku pa­raqet në mënyrë të qartë se krishterizmi i këtij shekulli dallon nga çdo she­kull tjetër, pra në çdo shekull ka pasur ndryshime dhe si i tillë ai dallon nga fe­ja qëpredikoi Isa alejhisselam. Në shumë libra të këtij lëmi, vërejmë edhe shpje­gi­min e ngjarjeve dhe zbardhjen e intrigave të çifutëve dhe krishterëve drejt shtrem­bërimit të fesë islame, intriga këto që nuk u realizuan asnjëherë, jo pse muslimanët qenë të fortë, jo pse ushtria dhe paratë e muslimanëve u bënë ba­llë atyre, porse një lajm i tillë për mbrojtjen e kësaj feje nga çdo lloj shtrem­bë­ri­mi kishte ardhur edhe në Kur’an, se Allahu është Ai që do ta marrë përsipër ruajtjen e këtij libri, respektivisht Kur’anin Famëlartë.

Gjatë studimit të kësaj shkence, studiuesi do të hasë edhe në shumë ngjarje të cilat nuk kanë fare bazë as në Kur’an, e as në traditën e Pejgamberit, të cilat ne i quajmë israilijate (të transmetuara nga beni israilët, çifutët) dhe orienta­liz­ma (mendime të shtrembëruara të orientalistëve) të hyra tinëzisht në lite­ra­tu­rën islame, që me fjalë të tjera, kjo do të quhej edhe një orvatje e tyre për të futur përçarje dhe shtrembërime në fenë islame, prandaj studimi i kësaj shken­ce më nga afër na mëson se si t’i dallojmë gënjeshtrat e tyre të futura ti­në­zisht në disa libra islame. Dobi tjetër që sjell kjo shkencë është dhe njohja e dijetarëve muslimanë dhe literatura e tyre. Ka raste kur jobesimtarët për t’i ndry­shuar mësimet islame, fokusohen te një dijetar i dashur i muslimanëve dhe pas vdekjes së tij, shpikin se kinse është gjetur një dorëshkrim i tij, dhe si rrje­dhojë, në të hasim gjëra jo të mira për besimtarët, apo për ndonjë dispozitë islame, apo thënë me shkurt, aty mundohen që autorit t’i ulin vlerën duke e eti­ketuar me ndonjë të keqe ndaj fesë së tij, ku më vonë pasojnë debatet e pa­do­bishme në mes muslimanëve dhe të cilat rezultojnë me përçarje. Kjo bëhet ve­tëm pas vdekjes së dijetarit, gjë që pamundëson vërtetësinë për masën e gjerë. Një gjë e tillë është vepruar edhe me dijetarin Imam El-Gazaliun, ku ësh­­të botuar një libër me emër të tij, por bazuar në metodologjinë e tij të shkri­mit dhe shprehjet e stilit të lartë të të shprehurit, ka dalë në shesh gë­njesh­­tra e kur­disur e gënjeshtarëve. Kjo ka qenë si rezultat i zhytjes së stu­diuesve në literaturën e dijetarëve eminentë, siç ishte Imam ibn Tejmije, Imam Gazaliu, e shumë të tjerë, prandaj, rezultat i njohjes së këtyre librave, autorëve, historikut të tyre, nuk mund të arrihet përmes leximit. E vetmja mënyrë për t’u njohur me librat dhe autorët e tyre është diskutimi apo debatet e organizuara, të cilat rezultojnë pozitivisht tek audienca.

Nga të mirat që studimi i kësaj shkence sjell për studiuesit dhe shoqërinë, është njohja mbi afërsinë dhe largësinë e besimtarit nga feja e tij e vërtetë, res­pek­tivisht, raportet e tij me Krijuesin. Duke e ditur se shkenca në fjalë studion edhe shkaqet që shpien drejt largimit nga feja, mirëpo në të njëjtën kohë, ajo or­vatet që në mënyrë psikologjike të ofrojë edhe ilaçin për kurimin e pacientit, du­ke e kthyer atë në gjendjen e mëparshme.

 Literatura e shfrytëzuar

Kur’an, Ali Imran: 19.

www.thefreeenciclopedia.com,Comparative Religion.

Dr. Ahmed Shelebiu, Fetë Komparative 1, Judaizëm, f. 27 (libri është në gjuhën arabe).

Kur’an, El-Bekare; 256.

Tarihu El-Menahixh ve kitabu mukaranetu El-Edjan I, Ahmed She­lebi.

Kur’an, El-Ankebut; 17.

Kur’an, En-Nahl; 17.

Kur’an, Ali Imran; 59.

Siretu Ibn Hisham.

Mukaddimetun fi Ilmi Mukarenet El-Edjan, të autorit: Es-Sejjid Muhammed Akil bin Alij El-Mehdelij.

Abdulaziz Abdulhak Hilmi, Tahkik ve Takdim Kitab: Er-Red El-xhemil Lil Gazali, fq. 74-75.

Abdul Aziz Abdul Hak Hilmi, Recensues i librit “Err-Rred El-Xhemil”, faqe 135. Për më shumë mund t’i ktheheni librit: “Mukaddimetun fi Ilmi Mukarenet El-Edjan” të autorit Es-Sejid Muhammed Akil bin Alij el-Mehdelij.